Distria Krasniqi e Driton Kuka në një gojë: Premtojmë fitore të tjera!

Nuk ishte aspak gjë e vogël që dy personalitete të sportit të Kosovës të shpalleshin më të mirët e vitit në një sport në nivel botëror. Distria Krasniqi dhe Driton Kuka, përkatësisht kampionia olimpike në xhudo në peshën deri 52 kg dhe trajneri i ekipit përfaqësues kosovar, morën çmimet si më të mirët e 2021-it nga Federata Botërore e Xhudos. Ata premtuan që të mos mjaftoheshin me kaq.

“Unë nuk e prisja këtë aspak, ndershmërisht nuk e prisja, – tha Krasniqi, – falenderoj të gjithë ata që gjetën kohën dhe votuan për mua. Është një sukses i madh për mua, një fitore e madhe, një nga më të mëdhatë në karrierë, sidomos për vështirësitë në peshën deri 52 kg. i falenderoj të gjithë. Unë do të përpiqem të fitoj sërish në të ardhmen”.

Trajneri i ekipit të Kosovës, Driton Kuka, u shpall trajneri më i mirë i xhudos në botë. “Ju falenderoj shumë, – tha tekniku shqiptar, – është një nder i madh që u përzgjodha në mes 5 trajnerëve më të mirë të botës. Secili prej nesh mund ta fitonte këtë çmim. Unë jam i lumtur sepse ky është çmim për vendin tonë të vogël, për popullin tonë të mrekullueshëm. Jam i lumtur që është votuar për shtetin tonë të ri. Nëse krahason Kosovën me të tjerët për numrin e banorëve, ne ia kemi dalë mirë. Do të përpiqemi të fitojmë edhe në të ardhmen”.\

Sfidanti.al