Bajrami dhe Kumbulla me trajner të ri, Sassuolo shkarkon Dionisin

Dy lojtarët e kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami dhe Marash Kumbulla pritet që të ndryshojnë trajner në klubin ku militojnë, sepse Sassuolo ka vendosur të shkarkojë trajnerin Alessio Dionisi. Drejtuesit e klubit italian nuk e kanë kapërdirë lehtë humbjen ndaj Empolit, që rezultoi vendimtare për të ardhmen e trajnerit. Sassuolo po kalon një moment të vështirë në kampionat, ku ka pësuar 5 humbje në 6 ndeshjet e fundit. Vendimi për zëvendësuesin e teknikut pritet të merret në orët në vijim. Klubi zikaltër do të tentojë kështu t’i japë një shtysë skuadrës, aktualisht e katërta nga fundi në Serie A me 20 pikë, në betejë të plotë për të shmangur rënien nga kategoria. Sassuolo do të rikthehet në fushë të mërkurën më 28 shkurt për rikuperimin e ndeshjes kundër Napolit e shtyrë për shkak të Superkupës së Italisë, dhe ende nuk dihet se kush do të ulet në stolin vendas në stadiumin Mapei. Sassuolo po vlerëson disa emra për të zëvendësuar Dionisin, i cili e drejton Sassuolo-n që nga viti 2021. Në listë janë edhe Davide Ballardini (i cili është ende nën kontratë me Cremonese) dhe Leonardo Semplici. Ekziston edhe mundësia e një zgjidhjeje të brendshme, me promovimin e trajnerit aktual të skuadrë së të rinjve-s, Emiliano Bigica. Javët e fundit është studiuar edhe pista Fabio Grosso, por diskutimet nuk vazhduan më.

sfidanti.al