Shumë futbollistë kanë pasur dilema të tilla. Berat Gjimshiti nuk do ta ndërrronte aq lehtë Atalantën e tij për ndonjë ekip tjetër, aq më pak për ndonjë klub jo shumë të shquar, por ndoshta ana financiare mund të ndikojë. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, sipas mediave në Itali dhe në Angli, kërkohet nga Fulhami i Premier Ligës i cili i jep një rrogë me diferencë më të mirë sesa ajo që merr tani.
Gjimshiti fiton 800 mijë euro në vit, pagë bazë tek Atalanta, ndërsa Fulhami besohet se i jep deri në 2.5 milionë. E tillë është diferenca e Anglisë sidomos me klubet normal të Serisë A, duke përjashtuar Juventusin, Interin e deri diku edhe Milanin.
Çfarë do të bëjë 27-vjeçari? Një zgjedhje vërtet e vështirë pasi një Atalantë e tillë, në një epokë krejt të veçantë, është e vështirë për t’u braktisur. Gjimshiti mund ta mendonte nëse do t’i vinin oferta nga klubet kryesorë në Itali apo në Angli, ndërsa Fulhami nuk është i tillë. Jo vetëm që Atalanta po shkëlqen në Serinë A dhe në Champions, duke qenë e papritura e dy-tre viteve të fundit, por edhe shqiptari i Kosovës është një nga më të mirët.
Jo më kot u shpall lojtari i ndeshjes në çerekfinalen e Kupës së Italisë ndaj Lacios, fituar 3-2, ku shënoi një nga golat, dhe ku mori pjesë në aksionet e rrjetave të tjera. Ai pati notën 7, dhe po kthehet gjithnjë e më shumë në një mbrojtës vërtet modern, që di të bëjë detyrën në prapavijë, por edhe të organizojë lojën e madhe të krijojë e shënojë gola. Duket me pak gjasa që ai të largohet nga Bergamo, ndonëse një pagë 3 herë më e madhe mund ta bëjë të mendohet.
Sfidanti.al