Zinedin Zidan ndoshta nuk do të shkarkohet, pasi nuk mund të ndodhë kjo me një trajner që ka fituar 3 Champions e 2 La Liga, por gjithsesi epoka e tij në Madrid duket se po përfundon. Reali i Madridit mesa kuptohet “i lau duart” nga mbrojtja e titullit pas humbjes 1-2 në shtëpi me Levanten, në një ndeshje që u kthye në një “ferr” të vërtetë. Jo vetëm humbja, por edhe mbetja me 10 vetë pas të kuqit ndaj Militaos (për të cilin “Marka” shkruan se ishte për të verdhë).
Po ashtu, polemika te goli i Realit shënuar nga Asensio, pasi specialistët e “Markës” thonë se më parë ishte penallti për Levanten, për shkak të faullit të Mendisë ndaj Meleros. Levante e shfrytëzoi më së miri epërsinë numerike duke pasur përballë një skuadër të dëmtuar nga kaq shumë probleme, dhe nga dy eleminimet në Superkupë dhe në Kupën e Mbretit. Disa pritje të mëdha të Kurtuasë nuk lejuan rezultat më të thellë, përfshi edhe pritjen e penalltisë në pjesën e dytë. Gjithsesi, golat e Moralesit në 32’ dhe Rozherit në 78’ e rrëzuan ekipin e Zidanit. Tashmë Reali ka 40 pikë në 20 ndeshje, kur Atletiko kryesuese ka 47 në vetëm 18 ndeshje. Barcelona i ka të gjitha mundësitë ta mbërrijë kampionen sepse ka 37 pikë në 19 ndeshje.
Sfidanti.al