Hakmarrja e Bajernit dhe vazhdimi i rekordit të Levandovskit!

Humbja e fazës së parë ishte pikërisht me këto shifra, ndaj edhe revanshi ishte i përpiktë. Bajerni nuk e humbi rastin t’i kthente përgjigje Hofenhajmit që e kishte mundur 1-4 në fazën e parë, ndërsa vazhdoi marshimin drejt konfirmimit të titullit në Bundesligë. Përfundoi 4-1 ndaj ekipit të drejtuar nga nipi i Uli Hënesit, me golat e shënuar nga Boateng, Tomas Myler, Levandovski dhe Gnabri. Sulmuesi polak shërbeu edhe asistin për Tomas Mylerin.

Ky ishte goli i tij numër 260 në Bundesligë, duke qenë vetëm 8 rrjeta larg vendit të dytë në renditjen e më të mirëve të të gjitha kohëve, Klaus Fisherit. Ishte gjithashtu i 24-ti në këtë kampionat duke vazhduar të synojë thyerjen e rekordit të Gerd Mylerit që arriti në 40 rrjeta në një vit në ligë. Bajerni ka 45 pikë, tepër larg Lajpcigut, Frankfurtit e Leverkusenit, ndërsa Dortmundi u kthye pranë zonës Champions në një sezon tepër të vështirë që u shenjua me shkarkimin e trajnerit Lysien Favre. Borusia fitoi 3-1 ndaj Augsburgut në “Signal Iduna Park” edhe pse Haland humbi penallti, dhe golat u shënuan nga Delanei, Sanço dhe Udouhal (autogol).

Sfidanti.al