Milani largon “fantazmat” dhe kthehet tek fitorja, edhe pse Ibra gabon!

Këtë herë nuk mori karton të kuq, as nuk u përplas me ndonjë kundërshtar, por sërish bëri një “lëmsh” sepse humbi penalltinë. Zllatan Ibrahimoviç nuk arriti të ishte vendimtar siç dëshiron, as të shënojë gol, por Milani gjithsesi ia doli të fitonte në Bolonjë. Vazhdoi një traditë pasi ka fituar thuajse gjithnjë në 22 ndeshjet e fundit me bolonjezët, duke pësuar vetëm 1 humbje e duke pasur 5 barazime.

Ante Rebiç dhe Frank Kesi me penallti ishin autorët e golave për të besuarit e trajnerit Stefano Pioli që mbrojtën kryesimin në Serinë A duke u ngjitur në kuotën e 46 pikëve, të paarritshëm për momentin nga Interi. Kuqezinjtë kishin humbur 0-3 në kampionat me Atalantën në “San Siro”, dhe me Interin 1-2 në Kupën e Italisë gjithashtu në “San Siro”. Për 60 minuta, ata dominuan ndaj ekipit të Sinisha Mihajloviçit duke treguar epërsi në potencial, por 30 minutat e fundit ishin me vuajtje. Bolonja shkurtoi diferencën me anë të Polit dhe pati rast për të barazuar, por shpëtimtar u bë portieri Donaruma.

Sfidanti.al