Arbitër me emër për ndeshjen vendimtare të Egnatias

Egnatia-Borac do të drejtohet nga i mirënjohuri Fabio Maresca. Ky është lajmi i njoftuar së fundmi nga UEFA pas sfidës së luajtur në Bosnjë ku koret raciste ndaj skuadrws shqiptare ndikuan jo pak nw fatin e ndeshjes.  Sidomos për ata që e përjetonin në fushë, por edhe për ne që e ndiqnim nga televizioni, ndeshja mes Egnatias dhe Boracit në Banja Luka të rikthente në kujtesë atmosferën e ndeshjes Serbi-Shqipëri. Jo për incidentet, por për thirrjet dhe urrejtjen që njerëzit në tribuna shfrynin kundër skuadrës së Edlir Tetovës. Në të tilla ndeshje arbitri ka një ndikim të jashtëzakonshëm dhe është ai që duhet të vendosë mbi mbarëvajtjen apo fatin e ndeshjes. Kryesori polak, Daniel Stefanski, ra viktimë e presionit të tifozëve dhe atmosferës në stadium dhe nuk arriti ta menaxhojë ndeshjen në mënyrën e duhur, duke ndëshkuar Egnatian me dy kartonë të kuq dhe mos arritur të ketë koshiecën e duhur rreth skandalit që zhvillohej në tribuna. Në momentin kur gjithçka që ndodhte në tribuna kishte të bënte me racizëm dhe urrejtje etnike, duheshin marrë masa. Nisur nga vështirësia për të gjykuar një ndeshje të tillë nga një arbitër i atij niveli, UEFA ka vendosur të ndryshojë planin për arbitrin e Egnatia-Borac. “Panorama Sport” zbulon se gjyqtari i emëruar fillimisht për ndeshjen e së mërkurës në orën 21:00 në “Elbasan Arena” ishte italiani Andrea Kolombo, që do të shënonte debutimin e tij në arenën ndërkombëtare. Por pas asaj që ndodhi në Bosnjë Hercegovinë, ndeshja ka kaluar në kategorinë “me risk të lartë”. Kështu, UEFA është tërhequr nga vendimi për Kolombon dhe ka emëruar si arbitër kryesor italianin Fabio Mareska. 43-vjeçari gjykon rregullisht në Serie A, teksa ka vënë drejtësi edhe në fazat finale të Ligës së Europës dhe Ligës së Konferencës. Asistentë të Mareskës do të jenë Stefano Alasia, Davide Moro dhe Ermano Feliçiani. E sigurt është që UEFA do ta ndjekë me lupë këtë ndeshje dhe do të shikojë me detaje çdo ngjarje. Në fakt këtë duhej ta bënin që në ndeshjen e parë, sepse ndryshe nga serbët apo boshnjakët, ne shqiptarët nuk shquhemi për trazira.

sfidanti.al