Al Hilal kërkon Bruno Fernandes, United merr vendimin

Mesfushori portugez Bruno Fernandes ka përfunduar në orbitën e klubit saudit Al Hilal. Skuadra e njohur nga Arabia Saudite po kërkon të përforcojë repartin ofensiv dhe ka identifikuar kapitenin e Manchester United si një nga objektivat kryesorë për merkaton e verës. Al Hilal kërkon të investojë në një emër të madh dhe pas vendimit të Mohamed Salah për të rinovuar kontratën me Liverpool-in, Fernandes shihet si një alternativë e denjë për të mbushur këtë boshllëk të projektuar. Sipas raportimeve të “Daily Mail”, përfaqësues të Bruno Fernandes kanë zhvilluar tashmë kontakte të para me përfaqësues të klubit saudit, i cili ka shfaqur interes serioz për lojtarin që nga sezoni i kaluar. Megjithëse portugezi ka rinovuar së fundmi kontratën me Manchester United deri në vitin 2027, me mundësi zgjatje edhe për një vit tjetër, interesimi i Al Hilal duket i qëndrueshëm dhe i mirorganizuar. Megjithatë, Manchester United nuk ka asnjë synim të shesë kapitenin aktual të skuadrës. Klubi anglez po kalon një sezon të vështirë në Premier League dhe shpresat varen nga finalja e Europa League, që mbetet e vetmja mundësi reale për të mbyllur sezonin me një trofe. Në këtë kontekst, Bruno Fernandes shihet si një element qendror në planet e trajnerit Ruben Amorim për ndërtimin e skuadrës në sezonin e ardhshëm.

sfidanti.al