Formacioni i Dinamos nuk ndryshon shumë nga ndeshja në ndeshje. Trajneri Ilir Daja preferon të bëjë pak lëvizje, ndonjëherë të diktuara nga problemet fizike të titullarëve. Në krahasim me ndeshjen e fundit me Elbasanin, ku blutë fituan 3-1, në derbin mund të pësojë ndonjë ndryshim ndoshta vetëm sulmi. Dejvi Bregu nuk mori asnjë minutë javën që shkoi, më shumë për shkak të situatave që u krijuan në Elbasan. Kundër Partizanit vlonjati me siguri do të luajë, por dilema është nëse do ta nisë nga minuta e parë, apo nga stoli. Mandela dhe Zabërgja gëzojnë një formë shumë të mirë, janë dy golashënuesit më të mirë të skuadrës, kështu që nuk diskutohen në formacion. Për vendin e titullarit të tretë në sulm janë tre alternativa, që fillojnë me Bregun, për të vazhduar me Nanin dhe Vilën. Portugezi ishte në fushë që nga minuta e parë ndaj Elbasanit, ashtu si dhe në disa ndeshje të tjera të mëparshme ku ka shënuar, kurse durrsaku u aktivizua në pjesën e dytë. Stafi teknik i Dinamos do të shohë deri të shtunën se cila do të jetë alternativa më e mirë, duke iu referuar edhe karakteristikave të kundërshtarit. Sa u takon reparteve të tjera, pritet që në mesfushë të kthehet titullar Bakari Gudiabi. Për shkak të një problemi të lehtë fizik ai e nisi nga stoli ndeshjen e fundit, por tashmë është plotësisht gati dhe ndaj të kuqve pritet në fushë që në fillim.
sfidanti.al