Lacio i ofron Igli Tares kontratën e re 3-vjeçare!

Të jesh 15 vjet në të njëjtën detyrë nuk është aspak gjë e vogël. Igli Tare e ka mbushur tashmë këtë periudhë jubilare tek Lacio, dhe klubi kryeqytetas nuk dëshiron që ta humbasë. Drejtori sportiv shqiptar kërkohet nga klube të rëndësishëm si Juventusi në Itali dhe Totenhemi në Angli, por presidenti Klaudio Lotito është i vendosur që ai të mos largohet. Mediat italiane dhe europiane njoftojnë se Lotito i ka ofruar 49-vjeçarit një kontratë të re 3-vjeçare, ndërsa akordi aktual po shkon drejt fundit.  Me këtë vendim, presidenti i del kundër vullnetit të trajnerit Mauricio Sarri, i cili dihet se nuk ka aspak një raport të mirë me shqiptarin.

Dy drejtuesit lacialë kanë pasur përplasje që në fillim të vitit të kaluar, ndërsa konfliktet vazhdojnë. Tare kërkon që Lacion të kualifikohet në Champions, ndërsa Sarri mendon se skuadra nuk është aq e fortë sa duhet. Ish-kapiteni kuqezi nisi punën në klubin kryeqytetas në 2008, pasi mbylli karrierën si futbollist. Fillimisht, ai ishte menaxher i ekipit, por në 2009 u bë drejtor sportiv pasi realizoi kualifikimin e kërkuar. Në 15 vite punë, ai është vlerësuar disa herë si njëri nga më të mirë në Serinë A në rolin e tij.

Sfidanti.al