Nga Gjimshiti, tek Bare, Sahiti e Doka, suksese të kuqezinjve në Europë!

Nuk ishte aq protagonist sa herën e fundit, por vendin nuk e lëshoi. Berat Gjimshiti është lajm i madh për kombëtaren shqiptare sepse ndryshe nga fillimi i sezonit, është kthyer në titullar të padiskutueshëm tek Atalanta në Serinë A. Pas asistit për golin e fitores ndaj Juventusit fundjavën e kaluar, qendërmbrojtësi kuqezi ishte pjesë e treshes së mbrojtjes në triumfin e thellë 4-0 ndaj Venecias. Një fitore që i bën bergamaskët të forcojnë pozitat në zonën Champions, në vendin e katërt, madje duke qenë përkohësisht baraz me pikë me Interin, nga 31.

Keidi Bare, ndërkaq, e ka lënë pas dëmtimin e pësuar me kombëtaren në ndeshjen në Londër ndaj Anglisë dhe është kthyer në fushë. Ai ishte titullar fundjavën e kaluar në fitoren 1-0 të Espanjolit ndaj Sociedadit në kampionatin spanjoll, dhe pritet të luajë rol edhe sot në sfidën e Kupës së Mbretit në fushën e Solaresit. Të dielën, Bare do të ketë derbin shqiptar me mbrojtësin e Rajo Vajekanosit, Ivan Balliu, ndërsa dy ekipet do të përballen në La Liga.

Në Kroaci pati suksese për lojtarët shqiptar. Ish-futbollisti i Shqipërisë U21, Emir Sahiti, shënoi gol në fitoren 6-3 të Hajdukut të Splitit në stadiumin e Lokomotivës së Zagrebit. Ky sukses e kualifikoi ekipin e Sahitit në gjysmëfinale të Kupës së Kroacisë, ndërsa në fushë për Lokomotivën u kthye lojtari i Shpresave, Indrit Tuci, që ka qenë i dëmtuar. Kualifikim në gjysmëfinale të Kupës edhe për lojtarin e kombëtares, Albi Doka, pasi Gorica eleminoi Istrian.

Sfidanti.al