Një dramë e vërtetë i ndodhi autobusit që po transportonte lojtarët e Boka Juniorsit drejt stadiumit “Monumental”, ku do të zhvillohej ndeshja e dytë finale e Kupës Libertadores mes këtij
ekipi dhe River Plejtit vendas. Autobusi u sulmua dhe u godit me gurë nga tifozë huliganë të Riverit. Ky autobus pothuajse u shkatërrua plotësisht, ndërkohë që disa lojtarë përfunduan në spital me dëmtime të ndryshme, por të parrezikshme për jetën.
Por, sidoqoftë, askush nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur, në qoftë se nënpresidenti i klubit Bokas nuk do të kishte kërcyer nga vendi, ku ishte ulur, dhe nuk do të kishte kapur timonin, pasi shoferi i autobusit ra pa ndjenja, kur një gur i madh, pasi theu xhamin e përparmë, e goditi edhe atë. Nënpresidenti i klubit qëndronte ulur direkt mbas shoferit, kështu që e kapi shpejt timonin, duke vazhduar rrugën.
Ndeshja e lartpërmendur, për shkak të kësaj ngjarjeje dramatike të dhunshme, u shty dhe do të zhvillohet sot në orën 21:00.
Sfidanti.al