Në vitet 70-të ishin shokët më të ngushtë që mund të bëheshin, siç e tregon edhe kjo foto emblematike e atyre kohëve të çlirëta. Uli Hënes dhe Paul Brajtner përbënin dyshen e pandashme të Bajernit dhe të Gjermanisë Perëndimore, djem që ndanin dhomën së bashku në grumbullim, dhe që festonin të përqafuar çdo trofe të madh.
Sot, nga miqësia e dlirë e dikurshme nuk ka mbetur asnjë “thërrime”, madje gazeta gjermane, “Bild” shkruan se presidenti i Bajernit, Hënes, nuk e ka lejuar legjendën Brajtner që të ndiqte ndeshjet në “Alianc Arena”. Sherri i parë mes tyre ndodhi që më 1983 në një turne aziatik, por më pas sikur paqja u rikthye, dhe ata drekuan në shoqëri të grave.
Në tetor, Brajtner shpërtheu kundër konferencës së shtypit, ku Hënesi ofendoi ish-lojtarin e Bajernit, Huan Bernat, duke e quajtur “të turpshme” (Ajo ishte vërtet e tillë!). Gjithsesi, një bloger gjerman i “Eurosportit”, i quajtur Tilo Koma-Pëlat (Poellath) bën një diversion, me një hipotezë sikur Paul Brajtneri edhe mund të ishte një kandidat për president tek Bajerni.
Për momentin, mediat gjermane shkruajnë se kandidat mund të jetë Oliver Kahn, por ku i dihet, edhe Brajtneri ka qenë legjendë e klubit, dhe shihet si antipod i Hënesit, diçka që mund të ndihmonte për të ekulibruar fuqinë e njerëzve të fortë tek Bajerni.
Sfidanti.al