Trajneri i Realit të Madridit, Zinedin Zidane, u bëri thirrje, dje, bashkatdhetarëve të vet që të bëjnë gjithçka të mundur që ta pengojnë politikanen e ekstremit të djathtë, Marin Le Pen, të fitojë në zgjedhjet presidenciale në Francë, më 7 maj. “Mesazhi është i njëjtë, ai vitit 2002”, deklaroi Zidane, duke aluduar për vitin, kur i ati i saj, Zhan-Mari Le Pen, doli, ashtu si e bija e tij tani, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Zidane tha se pozitat ekstremiste, asnjëherë, nuk janë të mira, duke shpresuar se do të përsëritet viti 2002, kur francezët u bashkuan rreth Zhak Shirakut që fitoi lehtë mbi Zhan-Mari Le Penin.
Sidoqoftë, Mari Le Pen iu përgjigj menjëherë Zidanes, duke i rekomanduar këtij të fundit që të votonte në favor të rivalit të saj, Emanuel Makron, që, sipas saj, është një ish-bankier që mbron interesat e të pasurve. “Ky është qëndrimi i tij. Cfarë mund të them? Ai mund të jetë i mirë për të dhënë këshilla në futboll, këtë unë e pranoj. Por, sa i përket politikës, nuk jam e sigurt. Duke pasur parasysh sesa para fiton, e kam të qartë se përse ai është në favor të Markonit”, vuri në dukje me qesendi Mari Le Peni.
Sfidanti.al