Në maj të vitit 1992, Xhanluka Viali u bë fajtor që skuadra e tij, Sampdoria, nuk e fitoi dot Kupën e Kampionëve, Championsin e asaj kohe. Sulmuesi italian humbi raste të pastër në finalen e luajtur në “Uembli” të Londrës ndaj Barcelonës dhe katalanasit ia dolën me një goditje dënimi të shkëlqyer të holandezit Ronald Kuman pikërisht në minutën e 112-të. Viali i kthehet sot asaj finaleje të 20 majit, thuajse çerek shekulli më vonë, dhe tregon një sinqeritet të madh.
“Për të mirën e futbollit, sot mendoj se është më mirë që Barcelona na mundi në atë finale, – janë fjalët e sulmuesit italian, që doli kampion i Europës në 1996 me Juventusin, – më mirë që ndodhi kështu”. Gjithsesi, Viali bën humor duke shtuar se “në kabinetin e trofeve të Barcelonës duhet të jenë edhe këpucët e mia, pasi rastet që unë humba i dhanë kupën”.
Si futbolist, 52-vjeçari fitoi jo pak me Sampdorian, Juventusin dhe Çelsin. Dy tituj të Serisë A, 4 Kupa të Italisë, 2 Superkupa të Italisë, Ligën e Kampinëve, 2 herë Kupën e Kupave, Kupën UEFA, Kupën e Anglisë, Kupën e Ligës dhe Superkupën e Europës.
Sfidanti.al