Vetëm se tha “dua të transferohem”, 10 000 euro gjobë për Sançez !

“Unë nuk e prisja që trajneri që trajneri të vepronte kështu me mua”, u ankua publikisht Renato Sançes, mbasi trajneri i Bajernit, Niko Kovaç, e futi atë që të luante vetëm pesë minuta në ndeshjen e fundit të Bundesligës që klubi bavarez e barazoi 2-2 me Hertën e Berlinit.

Në fakt, ky futbollist i ri portugez donte të largohej nga Bajerni gjatë kësaj vere, por Kovaçi ia prishi mendjen, duke i premtuar një minutazh më të madh loje. Sançesit iu ngritën nervat menjëherë mbas raundit të parë dhe kërkoi transferim, duke thënë se nuk ndjehet i kënaqur te Bajerni.

Kjo deklaratë e tij i kushtoi Sançesit 10 000 euro, shkruan gazeta “Bild”, sipas së cilës kaq ishte gjoba që i vuri atij trajneri kroat i Bajernit. Kovaçi zhvilloi një mbledhje me futbollistët, të cilëve iu bëri të ditur se nuk ai nuk “do t’i mbyllë më sytë”, pra nuk do t’i tolerojë më kritikat në drejtim të tij, sikurse ka ndodhur shpesh gjatë sezonit të kaluar. Klubi bavarez ka bërë të ditur se Sançesi nuk është në listën e shitjes.

Sfidanti.al