Uruguaji mund ta kishte merituar fitoren e ndoshta bëri më shumë. Skuadra amerikanolatine, gjithsesi, kuptoi se sot nuk është e lehtë të fitohet në finalet e Kupës së Botës, ndërsa u ndal në barazim pa gola nga Koreja e Jugut. Ekipi që eliminoi Gjermaninë katër vjet më parë në Botërorin rus, përballoi klasin e disa yjeve uruguajanë, mbi të gjithë të Federiko Valverdes. Mesfushori ofensiv i Realit bëri gjithçka, goditi shtyllën, fitoi të gjithë dyluftimet, krijoi dy raste për gol, dha 70 për qind të pasimeve të gjatë të saktë dhe rikuperoi 6 herë topin, por as shkëlqimi i tij nuk mjaftoi. Uruguaji goditi shtyllën me anë të kapitenit Diego Godin, ndërsa koreanojugorët patën më pak shanse. Latinët mbajtën topin 56 për qind, goditën 2 shtylla dhe patën 10 gjuajtje ndaj 7 të kundërshtarëve, veçse u kuptua se shumica e ekipeve në Botëror janë të organizuar dhe nuk thyhen lehtë. E treguan Arabia Saudite, Maroku, Japonia apo Kanadaja, e tregoi edhe Koreja e Jugut.
Sfidanti.al