Mançester Junajtidi do të jetë mikpritës i Barcelonës në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve (LK), ndryshe nga sa përcaktoi shorti që u hodh në Nion dhe, sipas të cilit, mikpritëse e ndeshjes së parë do të ishte Barcelona.
UEFA e mori këtë vendim për arsye sigurie, sepse edhe Mançester Sitin shorti e nxori si ekipin e dytë në duelin me Totenhemin, pra ndeshjen e kthimit do ta luajë në stadiumin e vet në Mançester.
Por, sipas rregullave të UEFA-s, për arsye sigurie, nuk lejohet që në të njëjtin qytet të luhen dy ndeshje brenda 24 orëve.
Kështu, Mançester Junajtidi do të jetë mikpritës më 9 ose 10 prill në “Old Trafford”, ndërkohë që një javë më vonë ai do të shkojë të luajë në “Kamp Nou”. Siti, fillimisht, do të luajë në “Uembli” dhe më pas në “Etihad”.