E ardhmja e Mesut Özil duket se është larg Arsenalit. Futbollisti gjerman nuk është aktivizuar për asnjë minutë që nga rifillimi i kampionatit pas pandemisë coronavirus. Në këtë moment Arteta nuk po e aktivizon për shkak të problemeve në shpinë dhe askush te Arsenali nuk pret gjë prej tij deri në përfundim të sezonit në Premier League.
Klubi londinez duke parë edhe pagën e lartë të Özil 20.2 milionë Euro në sezon si dhe rendimentin e tij duket se nuk ka ndërmend të mbajë më futbollistin për të cilin kritikat e ashpra nuk rreshtin si nga specialistët ashtu edhe nga vetë tifozët e Arsenalit teksa panë te mesfushori mungesën e impenjimit të tij me klubin. Për më tepër Özil ishte një prej lojtarëve që refuzuan reduktimin e pagës së tij për shkak të pandemisë coronavirus
Tani problemi për Özil qëndron te e ardhmja e tij dhe se cila skuadër do të jetë në gjendje që të paguajë një shifër kaq të lartë. Topcinjtë nuk do të bëheshin aspak pengesë për largimin e tij pasi kështu do të kursenin një shumë të madhe parash nga paga e tij.
Duket se goma e shpëtimit për Özil është në Turqi, ku Basaksehir duket se është destinacioni ideal për të. Nuk duhet harruar se një prej ndjekësve më të flaktë të skuadrës që aktualisht kryeson Super Ligën turke është vetë presidenti I vendit, Recep Tayyip Erdogan. Ky I fundit ka një raport të shkëlqyer me futbollistin madje ishte edhe dëshmitar nderi në dasmën e Özil, kështu që e ëndërron të shohë lojtarin me fanelën e Basaksehir.
Klubi nga ana e tij e ka të nevojshme të sjellë në radhët e tij emra të rëndësishëm dhe ai I Özil është shkruar me shkronja të arta. Në këtë pikë Arsenal është gati të pranojë edhe një shifër simbolike për kartonin e tij si dhe vlera e përfitimit pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve do të ishte një ndihmë për Basaksehirin për të përballuar tratativat. Për pjesën tjetër do të jetë puna e Erdogan dhe mesa duket gjërat kanë avancuar. Për Özil, Basaksehiri do të ishte një oaz lirie pas një periudhe të errët futbollistike, është vendi ideal për t’u kthyer, në Turqi do të ishte një yll.
Sfidanti.al