Transformimi i Lacios, nga turpi në Europë, pranë kreut të Serisë A!

Pak rëndësi ka që Çiro Imobile e humbi penalltinë pa kaluar as dy minuta. Kjo Lacio po merr dalë nga dalë fytyrën e trajnerit të saj, Mauricio Sarri. Tekniku që shkëlqeu me Napolin, që fitoi Ligën e Europës me Çelsin dhe titullin e fundit kampion me Juventusin, po arrin më në fund që të ngrejë në këmbë një skuadër që është kritikuar “rëndshëm”. Kush e ka harruar katastrofën në Ligën e Europës, 1-5 në fushën e modestëve danezë të Mitjulandit?! Gjithsesi, edhe pse kanë kaluar jo më shumë se 17 ditë që nga ajo mbrëmje, ekipi kryeqytetas duket ndryshe. Fitorja 4-0 ndaj Specias bëri që lacialët të jenë në vend të dytë në Serinë A me 17 pikë, po aq sa Milani dhe vetëm 3 pikë larg Napolit që kryeson. Jo vetëm kaq, por ka 17 gola të shënuar, vetëm një më pak sesa napolitanët. Zakanja, Romanjoli dhe dy herë Milinkoviç-Saviç ishin autorët e golave.

Sfidanti.al