Kristian Eriksen ka deklaruar herë pas here se do të donte që të ndërronte mjedis, sepse synonte sfida të reja në karrierën e vet, duke lënë që të kuptohet qartë se ai do që të largohet nga Totenhemi.
Ky mesfushor ofensiv zhvilloi një sezon të kaluar të shkëlqyer, duke shënuar madje edhe 10 gola e 17 asistenca goli dhe duke tërhequr kështu vëmendjen e shumë klubeve të mëdhenj evropianë.
Eriksenit ia kishte vënë syrin Zinedin Zidane i Realit, por klubi “mbretëror” hoqi menjëherë dorë nga ideja e tij, kur dëgjoi shumën që kërkonte Totenhemi për futbollistin e mësipërm danez – 150 milionë euro.
Duke patur parasysh se kontrata aktuale e Eriksenit me Totenhemin përfundon mbas një viti, shuma e lartpërmendur duket joreale dhe vështirë se ka ndonjë klub që do të donte ta paguante një shumë të tillë të madhe parash. Dhe fakt është se deri tani në adresë të Totenhemit nuk ka ardhur asnjë ofertë për këtë mesfushor danez, kështu që njeriu nr.1 i këtij klubi, Daniel Levi, duhet të gjejë ndonjë taktikë tjetër që të fitojë shumë para, por pa e tepruar, që ta shesë Kristian Eriksenin.
Sfidanti.al