Entuziazmi është i madh në Itali pas 13 javësh kampionat. Mesatarja e tifozëve në javën e fundit arriti në mbi 30 000 për ndeshje, diçka që ka ndodhur rrallë kohët e fundit, dhe nëse ka ndodhur, kjo ka qenë në fazën e dytë. Pra Seria A është bërë tërheqëse që nga fillimi. Nuk është se kanë ndryshuar stadimet, pasi impiantet e Italisë janë të vjetër dhe jo për t’u ndjerë shumë mirë tifozët. Gjithsesi, tendenca ka ndryshuar.
Mesatarja e tifozëve në 13 javë është gati 25 500 për ndeshje, plot 1 000 më shumë sesa vjet në të njëjtën kohë, dhe 4 000 më shumë sesa parvjet pas 13 javësh. Çfarë ka ndodhur? Me siguri, efekti Ronaldo, do të thotë dikush. Padyshim që po, veçse “La Gazeta delo Sport” shkruan se efekti kryesor është ai i “San Siros”, pasi Interi dhe Milani janë tani shumë më të fortë. Në vend të parë për tifozë në Serinë A, është Interi, dhe më pas Napoli e Juventusi. Në ndeshjen Inter-Frozinone ishin mbi 63 000 spektatorë, ndaj 44 400 në Napoli-Kievo dhe 41 000 në Juventus-Spal.
Sfidanti.al