Karrierën e ka pasur vërtet në nivele të larta. Igli Tare ishte më i madh në futboll sesa talenti e teknika e tij individuale, që nga sulmues e kapiten i kombëtares shqiptare, e deri tek roli i drejtorit sportiv tek Lacio, por duket se po kalon një moment të vështirë. Pas më shumë se 12 vitesh të suksesshëm në rolin drejtues, shqiptari ndodhet në një konflikt me trajnerin Mauricio Sarri. Mediat italiane raportojnë se përplasjet e nisura disa ditë më parë kanë arritur kulmin, aq sa sipas të përditshmes romane, “Il Mesaxhero”, Sarri e ka vënë presidentin Lotito përpara një ultimatumi: Ose unë, ose Tare, të dy bashkë nuk mund të vazhdojmë!
Tekniku 63-vjeçar njihet si njeri me personalitet të fortë, dhe që nuk pëlqen të bëjë kompromis me parimet e tij. Konflikti me Taren është shkaktuar për shkak të transferimeve të lojtarëve, me trajnerin që kërkon më shumë autonomi në vendimmarrje. Nuk dihet sesi mund të përfundojë ajo që mund të quhet “luftë civile” brenda klubit të kryeqytetit italian, por padyshim që shqiptari 48-vjeçar është në moment të vështirë. Gjithsesi, ai është vlerësuar si drejtues shumë i mirë, dhe mund të shkojë në ndonjë klub tjetër të njohur nëse largohet nga Lacio.
Sfidanti.al