Futbollisti i ri i talentuar shqiptar, Ezgjan Alioski, lojtar kyç në përfaqësuesen e Maqedonisë, ka rënë dakord me Lids Junajtidin që, sezonin e ardshëm, ai të luajë në radhët e këtij ekipi anglez, dikur mjaft të famshëm. Mediume zviceranë dhe anglezë njoftonin, dje, se marrëveshja, tanimë, është arritur dhe se Ezgjani, së shpejti, do të shkojë në “Iland Roud” që të bëjë kontrollin mjekësor dhe të nënshkruajë kontratën me Lidsin.
Informacione të fundit thotë se Alioski kishte refuzuar disa ekipe të Bundesligës dhe të Serisë A që të mund të bashkohej me Lidsin që, prej një kohe të gjatë, konkurron në Championshipin anglez, një kategori më poshtë sesa Premier Liga angleze. Pronari i këtij klubi anglez, dikur të lavdishëm, Andrea Radricani, synon që ta kthejë Lids Junajtidin në Premier Ligën kryesore të Anglisë, ndërkohë që, sikurse thuhet, ai ka përgatitur një plan serioz për realizimin e këtij synimi.
Sfidanti.al