Talenti danez refuzon klubet e pasur: Do të qendroj tek Ajaksi

Sipas Transfermarketit, futbollisti i ri danez, Kasper Dolberg, vlen 8 (tetë) milionë euro, por, sipas disa vlerësimeve të tjera, ai kushton dy ose tri herë më shumë. Një nga sulmuesit e rinj më të talentuar të Evropës ka vendosur që të mos largohet nga Ajaksi i Amsterdamit, megjithë ofertat e ardhura nga disa klube të pasur. Ky futbollist 19-vjeçar nga Danimarka, me lojën e tij të shkëlqyer, ka tërhequr vëmendjen e klubeve të tillë, si Mançester Junajtidi dhe Siti, si edhe të Barcelonës, por agjenti i tij, Jens Stefensen, e hodhi poshtë mundësinë që Dolbergu të largohet nga Ajaksi.

“Ne nuk kemi marrë asnjë ofertë konkrete, megjithëse sinjale na kanë dërguar disa klube të mëdhenj të Evropës. Sidoqoftë, ai synon që të vazhdojë të qëndrojë tek Ajaksi, të paktën, edhe një vit tjetër”, i tha Stefenseni “Fusball Transfersit”. Gjatë sezonit që sapo përfundoi, Dolbergu shënoi 23 gola, përfshi gjashtë gola në Ligën e Evropës, ku, në finale, Ajaksi u mund 2-0 nga Mançester Junajtidi.

Sfidanti.al