Superkupa e Francës i shkon PSG; mundi Ren me rezultatin 2-1

Titulli i parë sezonal i shkon Paris Sën Zhermenit. Klubi kampion i Ligue 1 fitoi Superkupën e Francës teksa mposhti skuadrën e Ren në ndeshjen e zhvilluar në Shenzhen të Kinës me përmbysje me rezultatin 2-1. Me këtë sukses Paris Sën Zhermeni shkruan një tjetër faqe në historinë e futbollit francez teksa e fiton Superkupën e Francës për herë të 9 dhe për të 7 herë radhazi, dy rekorde absolutë këta.

Në fushën e lojës nuk ishte Nejmar i cili tashmë është në luftë të hapur me Paris Sën Zhermenin, megjithatë kjo nuk e pengoi këtë skuadër të fitojë trofeun dhe sfida nuk nisi aspak mirë për kampionët e Francës. Në fakt ishte Ren ai që kaloi i pari në avantazh në këtë ndeshje me golin e Adrien Hynu në minutën e 13.

Paris Sën Zhermeni u zgjua në pjesën e dytë dhe në minutën e 57 barazoi me Kilian Mbape, ndërsa 17 minuta nga fundi i sfidës, Anhel Di Maria ekzekutoi me mjeshtëri një goditjë dënimi duke shënuar golin e rezultatiti 2-1 të ndeshjes për Paris Sën Zhermenin që më pas ngriti edhe trofeun e Superkupës. Ishte pikërisht momenti i festimit ai që shkaktoi polemika, ndërsa Verrati e detyroi Nejmar të përfshihej në festime, pak më vonë Mbappe e largoi. Tani jemi në pritje të episodit të radhës së kësaj telenovele intriguese të futbollit evropian e botëror.

sfidanti.al