Ftohen gjithnjë e më shumë raportet mes Nejmarit dhe Paris Sën Zhermenit, pas dështimit të Leonardos në tentativën e tij për të vendosur paqen me sulmuesin brazilian. 27 vjecari është i vendosur në qëndrimin e tij për t’u kthyer te Barcelonë dhe refuzoi të takohej me bashkëkombasin e tij dhe në momentin kur u shkëmbye me të në fushën e lojës në Kinë, as nuk e përshëndeti.
Nejmar shpreson që parizienët t’i hapin dyert e largimit dhe të ulen në tryezën e bisedimeve me drejtuesit e Barcelonës që janë gati të bëjnë një ofertë për sulmuesin por jo vetëm me para cash sic pretendojnë kampionët e Francës.
Sipas asaj që publikohet te e përditshmja spanjolle ‘Sport’, java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Nejmarit i cili nuk ka ndërmend aspak të marrë parasysh propozimin e Leonardos që të qëndrojë edhe 1 sezon në Paris për t’u larguar verën pasardhëse.
Por pikërisht 2 vjet pas largimit të tij Nejmar është gati të nisë një luftë të paprecentë për t’u kthyer në Katalunja, një operacion ky që është shumë i komplikuar duke qenë se raportet mes dy klubeve nuk janë aspak të mira. Gjithsesi javën e ardhshme do të mësohet nëse do të ketë fund të lumtur për Nejmar kjo telenovelë që pas asaj të 2017 duket se është në sezonin e dytë të saj.
sfidanti.al