Legjenda e futbollit skocez, Graham Sunes, e ka kritikuar vazhdimisht mesfushorin e Mançester Junajtidit, Pol Pogba, për mënyrën e lojës së tij, duke theksuar efektin e dobët të këtij lojtari te loja e “djajve të kuq”. Ai, madje, nuk i kursen kritikat kundër këtij lojtari të përfaqësueses franceze edhe në prag të Botërorit të Rusisë, duke i bërë një sugjerim trajnerit të Francës, Didie Deshamp:
“Pavarësisht nga përpjekjet, ashtu si edhe Zhoze Murinjo te Junajtidi, ashtu edhe Deshampi te përfaqësuesja e Francës nuk gjen dot një sistem që t’i përgjigjet Pol Pogbas. Sipas meje, Deshampi, thjesht, duhet ta pranojë se nuk mund të kihet besim të plotë te mesfushori qëndror Pogba, por do të kishte me shumë leverdi, nëse ai do ta përdorte atë si një zëvendësues të rëndësishëm që do të mund të sillte një ndryshim cilësor të lojës”, vë në dukje ky ish-futbollist i famshëm i Premier Ligës angleze, duke vazhduar më tej:
“Nëse ekipi juaj është në avantazh, ju nuk do të keni nevojë për Pogban deri në fund të ndeshjes, por, ama, nëse jeni në barazim ose në disavantazh dhe juve ju intereson shumë rezultati, atëherë, po, futeni atë në lojë si një zëvendësues që të ndikojë te rezultati. Por, megjithatë, unë ende nuk e kuptoj mënyrën e tij të lojës në mesfushë”.
Sfidanti.al