Trajneri i ekipit përfaqësues të Maqedonisë, Igor Angelovski, bëri, sot, apelin e parë të futbollistëve të vet, në prag të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2018 në Rusi, në stadiumin e Granadës, me Spanjën, më 12 nëntor, në kuadrin e Grupit G, ku, sikurse dihet, bën pjesë edhe ekipi ynë. Angelovski, do të ketë në dispozicion të gjithë pjesëtarët e thirrur të përfaqësueses, me përjashtim të portierit Stole Dimitrievski që do të bashkohet i fundit me ekipin. E rëndësishme është që, momentalisht, në ekip nuk ka asnjë lojtar me dëmtime, me përjashtim të atyre që kanë munguar edhe më parë, ndërkohë që forma e futbollistëve është e kënaqshme.
“Mendoj se ne po e presim, në një atmosferë pozitive, ndeshjen me Spanjën. Nestorovski dhe Alioski janë në gjendje që të shënojnë gola dhe kjo sjell optimizëm në ekip”, thotë Angelovski, duke shtuar se “Spanja ëshjtë favorite dhe këtë e di çdokushi. Asaj, në fakt, i mungon e gjithë mbrojtja, por kjo nuk përbën ndonjë problem për të. Kam besimin se ne do të luajmë me Spanjën më mirë sesa kemi luajtur me Italinë, Izraelin dhe Shqipërinë”.