Rroftë e majta… poshtë e djathta!

Në konferencën e fundit për shtyp, përpara se të bënte publike edhe listën e futbollistëve që do të grumbulloheshin për ndeshjen kundër Izraelit, trajneri De Biazi dha edhe argumentet për të gjithë futbollistët që nuk kishte preferuar t’i grumbullonte. I bezdisur si gjithmonë nga pyetje të tilla, aq më shumë që disa zgjedhje ishin befasuese, edhe vetë trajneri ishte konfuz, megjithëse u kujdes të tregohej sa më bindës. Për Cikalleshin tha se shpresonte që në janar të ndërronte skuadër, duke pasur parasysh se sulmuesi kavajas nuk është aktivizuar mjaftueshëm me skuadrën e tij.

Ndërkohë, De Biazi tha po të njëjtat fjalë edhe për Lenjanin, pra uronte që edhe ai të largohej nga Rene në janar, për të gjetur mundësinë të luajë rregullisht. Por, ndryshe nga Cikalleshi, ai është thirrur në Kombëtare, pasi futbollistët në pozicionin  e tij (krahu i majtë) janë me pikatore. Pra tani, Lenjanit i duhet të falenderojë prindërit e tij që e lindën sallaksh, pasi në këtë moment vetëm ata kanë meritën që i biri vazhdon të përfaqësojë Shqipërinë, ndërsa Cikalleshit nuk i mbetet tjetër, veçse të mallkojë këmbën e tij të preferuar.