Zlatan Ibrahimovic, zyrtarisht “Senior Advisor” i fondit “RedBird”, e ka përshkruar shpesh rolin e tij te Milani në mënyrën më komplekse: “Komandoj unë. Kur luani nuk është aty, vijnë macet e vogla. Kur kthehet luani, macet zhduken”. Por tani duket se ai vetë është zhdukur nga Milanello. Ibra nuk është parë më në qendrën stërvitore të Milanit që nga udhëtimi i CEO, Giorgio Furlani, në SHBA për takimin me Gerry Cardinale.

Një mungesë që flet shumë dhe sugjeron një rol të reduktuar në hierarkinë e klubit. Më e rëndësishmja, ai nuk është përfshirë në procesin e zgjedhjes së drejtorit të ri sportive, një vendim që me siguri nuk e ka pritur lehtë. Po ashtu, mungesa e tij në “San Siro” kundër Comos, fillimisht e justifikuar me një grip të fortë, tani shoqërohet me dyshime të tjera. Ibrahimovic ka qenë gjithmonë një figurë kyçe për çështjet teknike të klubit, duke shërbyer si lidhja mes lojtarëve dhe drejtuesve. Por tani, me Cardinale që vendos të këshillohet vetëm me Furlani për vendime të rëndësishme, pozicioni i suedezit duket i lëkundur. Për më tepër, edhe në zgjedhjen e trajnerit të ardhshëm po përmenden emra që nuk janë të preferuarit e Ibrës. Të gjitha këto sinjale e shtojnë dyshimin se në fund të sezonit mund të vijë një ndarje mes Milanit dhe Ibrahimovicit. Një largim i bujshëm, që do të shënonte një tjetër kapitull të rëndësishëm në revolucionin e kuqezinjve.
sfidanti.al