Shkëndija e Tetovës do të paguajë 100 000 euro për Qaton

Duket se ekipi ambicioz nga Tetova nuk do t’i kursejë paratë që ta sjellë përsëri në stolin e drejtimit trajnerin e vet, ndërkohë që “timonieri” i deritanishëm i saj, Jeton Beqiri, ka shkuar te Renova. Bërdariç, Ibrakoviç, gjermanë, boshnjakë, kroatë, etj. përmenden se do të ulen në stolin e drejtimit të Shkëndijës, por e sigurt është se vetëm njëri prej tyre do të ulet në këtë stol dhe, ka shumë mundësi, që ai të jetë nga Maqedonia. Qatip (Qato) Osmani është favoriti kryesor për të zëvendësuar Bruno Akrapoviçin në stolin e zbrazët të drejtimit të ekipit tetovar, pra që legjenda e këtij klubi të kthehet përsëri në këtë klub, ku ai ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij si futbollist, por edhe si trajner dhe nuk duhet që të harrohet se nën “shkopin” e tij të dirigjentit Shkëndija e Tetovës ka shënuar suksesin më të madh në historinë e tij, duke fituar të vetmin titull kampion të Maqedonisë.

Po, Qato është një zgjidhje ideale si trajner i Shkëndijës, por ka një problem që duhet të zzgjidhet me para. Ai, aktualisht, ka një kontratë me Renovën, por që të arrijë që të sigurojë shërbimet e tij, Shkëndija duhet të ndërmarrë një hap që nuk e ka bërë askush. Ajo duhet t’i paguajë kompensim ekipit rival të saj që të arrijë ta marrë këtë trajner të sprovuar nga koha. Sipas informacioneve, në fakt, bëhet fjalë për 100 000 euro që duhen për të blerë kontratën e tij me Renovën, vetëm për ta ulur këtë trajner në stolin e drejtimit, në mënyrë që Shkëndija të mund të përsërisë suksesin e vitit 2011, kur kupa e kampionit të Maqedonisë përfundoi në duart e këtij ekipi që drejtohet nga “mësuesi Qato”.

Sfidanti.al