Sërish në zyrë, Uli Hënes është përsëri president i Bajernit

Shqipëria ka si kusht që të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, por duket se në Gjermani janë më dorëlëshuar. Uli Hënes, vërtet një legjendë e futbollit gjerman, por edhe i dënuar me burg, u rikthye të premten mbrëma në detyrën e mëparshme, në krye të Bajernit të Mynihut. Gjashtëdhjetekatër vjeçari kishte qenë president i klubit të Mynihut nga viti 2009 deri në 2014, ndërsa më pas ishte dorëhequr pas skandalit të mospagimit të taksave.

Hënes, kampion i botës me Gjermaninë dhe tri herë kampion i Europës me Bajernin, provoi gjyqin, turpërimin dhe burgun, ndonëse ishte një burg si në shtëpi pushimi. Ligji gjerman, mesa duket, nuk e ndalon rikthimin në detyrë pas përfundimit të dënimit, veçse në aspektin moral duket e vështirë që klubi më i madh gjerman dhe një nga më të moralshmit e Europës nuk e gjeti më të udhës të mbante një president tjetër. Në detyrë, gjatë kësaj kohe, ka qenë Karl-Hajnc Rumenige, deri tani një figurrë krejtësisht e panjollë.