Xhanluixhi Donaruma, në një intervistë “fëminore” për revistën “Topolino”, foli për fillimet e karrierës së tij dhe për Milanin ku intervistuesit ishin disa fansa të tij, shumë të rinj
Kush të ndërgjegjësoi mbi aftësitë e tua për t’u bërë futbollist?
Trajneri im i parë, Ernesto Ferraro, ma përsëriste shpesh që mund të bëhesha numri 1. Ai ka qenë shtysa që të mos ndalesha kurrë e të ndiqja gjithmonë ëndrrën time.
Cili portier të frymëzon më shumë?
Bufon është një prej atyre që më frymëzojnë.
Mund të tregosh diçka për 11-metërshin e parë që ke pritur?
Ka ndodhur në Kinë, në një miqësore ndaj Realit të Madridit, më 15 korrik 2015 kur prita goditjen e Toni Kros. Nuk e shijova dot, pasi në serinë e goditjeve nga pika e bardhë më erdhi radha për të goditur edhe mua, por fatkeqësisht nuk munda të shënoja.
Nga shokët e skuadrës, kush është lojtari që të shënon gjithmonë me 11- metërsh?
Kur luante ende për Milanin, Luiz Adriano: nuk kam mundur ta ndal kurrë.
Cilit lojtar i druhesh më shumë kur luan kundër?
Higuain, qoftë kur ishte te Napoli, ashtu edhe tani që luan me Juventusin.
Një koment për sulmuesin më të ri të Milanit, Gerard Deulofeu? Jeni miqësuar?
Po, jemi shumë miq! Ai është një djalë shumë i dashur dhe ka arritur të përshtatet shumë mirë me të gjithë skuadrën, diçka jo fort e lehtë për lojtarët e rinj, sidomos kur vijnë në gjysmë të sezonit.
Po me portierët e tjerë, Marko Storari dhe Alesandro Plicari, si janë marrëdhëniet?
Shumë të mira. Stërvitemi çdo ditë bashkë dhe buzëqeshja nuk na mungon kurrë, mbështesim njëri-tjetrin dhe rivaliteti për vendin e titullarit nuk ka ndikuar në miqësinë tonë jashtë fushe.
Po me shokun/kolegun e një jete me të cilin keni luajtur gjithmonë bashkë në grupmoshat e Milanit? E kam fjalën për Lokatelin, shokun tënd të dhomës?
Jemi shumë të rrëmujshëm që të dy, por Manuel (Lokateli) është ai që nevrikoset më shpesh nga shakatë që i bëj.