Stefano Pioli i sigurt për Ikardin, jo plotësisht për Interin

Mauro Ikardi do të jetë golshënuesi më i mirë i Serisë A, por Interi nuk e ka të sigurt kualifikimin për në Ligën e Kampionëve. Kështu mendon trajneri zikaltër, Stefano Pioli, ndërsa skuadra e tij është në vendin e pestë, me 6 pikë diferencë me vendin e tretë që të çon në Champions. “Do të duhet të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme që t’ia dalim, pasi ka diferencë me skuadrat e tjera, – thotë trajneri, – gjithsesi, duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës”. Kjo ndeshje është në fushën e Torino, që sipas Piolit shënon shumë në shtëpi, ku ka humbur vetëm me Juven.

“Jemi në moment pozitiv dhe duhet ta vazhdojmë, – thotë Pioli, – Torino është kundërshtar shumë i fortë, me një trajner shumë të mirë, ndaj duhet të jemi në nivel tepër të lartë”. Banega mund të ulet në stol, dhe Zhoao Mario në fushë, ndërsa Brozoviç të mbetet jashtë pasi dyshja para mbrojtjes pritet të jetë Galiardini-Kondogbia.

Torino, derbi dhe Napoli, duket se sezoni i Interit vendoset në këto përballje. Pioli mban përqëndrimin tek torinezët, ndonëse komenton se i pëlqen derbi në orën 12:30 të së dielës, sepse “San Siro” e kënaq më shumë ditën. Së fundi, ai beson se Mauro Ikardi do ta fitojë garën për golshënuesin më të mirë të Serisë A me Andrea Belotin, sulmuesin që do të jetë përballë zikaltërve këtë fundjavë.

Sfidanti.al