Ibrahimoviç tregon se ç’bëri Galiani me fanelën e Interit

Një futbollist kampion në intervistë nga një trajner kampion. Kjo është një formulë programacioni nga televizioni amerikan “Foks”, me Zllatan Ibrahimoviçin në rolin e të intervistuarit dhe Fabio Kapelon në atë të intervistuesit. Ylli i Mançester Junajtidit u përqëndrua më shumë në kohën kur luante në Itali, aq më tepër që pyetjet vinin nga një trajner italian.

“Familja ime ndihej shumë mirë në Milano, – nisi të fliste ai për kohën tek Milani, – në atë kohë fola me Galianin dhe me presidentin Berluskoni që më bindi të vija me dëshirë dhe me shumë ambicie. Ne kishim një skuadër shumë të fortë dhe kujtoj se kur fituam kampionatin, në dhomën e zhveshjes hyri Galiani me fanelën e Interit që mbante titullin. Galiani e shqepi simbolin e titullit duke na thënë se “tani ky është i yni””.

Ibra pohoi se nuk deshi të largohej nga Milani, pasi u ndje mirë, aq më tepër duke kujtuar periudhën e mëparshme tek Barcelona ku kaloi shumë keq. Zllatan gjithsesi ka kujtime të bukura edhe nga Interi ku fitoi mjaft. Ai u largua nga Juventusi kur ky ra në Serinë B, dhe ndihmoi zikaltërit të triumfonin. “Interi kishte 17 vjet pa dalë kampionm dhe i thashë vetes se nëse fitonim titullin, do të hyja në histori”, – kujton Ibrahimoviç.

Sfidanti.al