Statistikat nxjerrin kampion Interin, por Konte pret provën e Barcelonës

Në 11 nga 15 raste që një skuadër ka pasur pikë të plota në Serinë A, pas 6 javëve të para, ajo ka dalë kampion. Një nxitje statistikore për Interin, e ndodhur pikërisht në pozita të tilla, ndonëse një nga ekipet e paktë që ka dështuar është pikërisht ai zikaltër në 1967! Statistika do të thotë se në 73 për qind të rasteve, ekipi me pikë të plota pas 6 javëve të para ka dalë kampion, diçka që mund t’u pëlqejë shumë tifozëve, por që mund të shqetësojë shumë Antonio Konten.

Trajneri “luftëtar” nuk dëshiron të dëgjojë për titull në 1 tetor, ndërsa pret provën tjetër të pjekurisë së skuadrës së tij, atë që do të ketë këtë të mërkurë në “Kamp Nou” ndaj Barcelonës. Më pas, të dielën në mbrëmje, do të jetë Derbi i Italisë ndaj Juventusit. “Për momentin duhet menduar vetëm për Barçën, – thotë Konte, – një provë që do të tregojë shkallën e pjekurisë sonë. Pavarësisht problemeve, Barcelona mbetet një skuadër e madhe, nga më të fortat në botë”. Me Mesin apo pa Mesin, Interi duhet të luajë për pikë, ndërsa skuadra e fundit italiane që ia ka dalë të fitojë në “Kamp Nou” ka qenë Juventusi i Marçelo Lipit në 2003, kur Konte ishte në stol.

Sfidanti.al