Mbas tetë vitesh në funksionin e drejtorit ekzekutiv të Juventusit të Torinos, Xhuzepe Bepe Marota, njeriu që luajti rolin kyç për krijimin e “perandorisë” moderne bardhezi, do të largohet nga ky klub i madh torinez në fund të muajit të ardhshëm.
Bepe Marota erdhi te Juventusi si njeriu kryesor me “duar të lira”, garanci që atij ia dha vetë pronari Andrea Anjeli në 2010, dhe ai arriti që të krijojë një ekip të tillë që i ka dhënë Juves shtatë skudeto me radhë, si edhe pjesëmarrjen në dy finale të Ligës së Kampioneve në katër vitet e fundit. Marota ishte ai që solli Antonio Konten në krye të ekipit bardhezi dhe gjatë tre sezoneve në drejtimin e ish-trajnerit të përfaqësueses italiane Juvja fitoi tre tituj kampioni. Mbas largimit të Kontes, në vend të tij erdhi Masimiliano Alegri, nën shkopin e dirigjentit të të cilit u fituan edhe dy kurrora të tjera kampioni, madje të dyfishta, dhe u luajt në dy finale të Ligës së Kampioneve.
Si qershi mbi tortë ishte ardhja gjatë kësaj vere të Kristiano Ronaldos te Juventusi nga Reali, transferim ky, në të cilin roli i Marotës nuk ishte i vogël.
Tani, Marota përmendet si kandidati kryesor që të caktohet në postin e presidentit të federatës italiane të futbollit.
Sfidanti.al