Ditët e fundit është folur shpesh se futbollisti më i mirë i Botërorit të fundit të Rusisë, Luka Modriç, do të ndërrojë mjedis, duke kaluar nga Reali i Madridit për tek Interi i Milanit. “Calcionews24” bën të ditur se Modriçi i ka thënë tanimë “Po” Interit dhe se ka ndërmend që t’ia njoftojë këtë vendim të tij, shumë shpejt, presidentit të Realit, Florentino Perez. Në fakt, Luka vetëm dje u kthye në Madrid, mbas një pushimi relativisht jo të shkurtër që bëri mbas kampionatit botëror dhe nesër pritet që të dalë në stërvitje.
Ky do të jetë edhe rasti që ai të bisedojë me presidentin e klubit, Perez, të cilit, sikurse thuhet, ai do t’i njoftojë vendimin e tij.
Mediumi i mësipërm bën të ditur se Modriçin e tundoi oferta e Interit, sipas së cilës ai do të fitojë 10 milionë euro në vit, ndërkohë që kontrata e tij do të ketë një kohëzgjatje katërvjeçare. Kjo pagë do ta bëjë atë futbollistin e dytë më të paguar në Serinë A mbas Kristiano Ronaldos.
Sfidanti.al