Viliani thumb trajnerit Sari: Vetëm mos u bëj si Antonio Konte!

Trajneri Antonio Konte mbas trofeut që fitoi me Çelsin që në sezonin e tij të parë të Premier Ligës, në sezonin e dytë kaloi një “golgotë” të vërtetë. Për të dhe lojtarët e tij, gjithçka shkoi mbrapsht, “blutë” zhvilluan nje sezon jashtëzakonisht të keq dhe u krijuan mosmarrëveshje mes Kontes e krerëve të klubit londinez. Gjatë kësaj vere, trajneri italian u shkarkua dhe në stolin e drejtimit të Çelsit erdhi bashkatdhetari i tij, Mauricio Sari, deri tani trajner i Napolit.
Një nga lojtarët më të mirë të Çelsit, braziliani Vilian, sikurse duket, do të vazhdojë të qëndrojë te “blutë” e Londrës, pavarësisht nga spekulimet e shumtë se ai do të largohej nga “Stemford Brixhi”. Ai shpreson se nën trajnerin e ri punët do të shkojnë më mirë sesa me atë të mëparshmin.
“Shpresoj që Sari të mos jetë si Konte, me të cilin, të them të drejtën, ishte e vështirë të bashkëpunoje, pasi unë nuk e kuptoja logjikën e tij. Kishte ndeshje, kur unë mendoja se po luaja shumë mirë, kurse ai më ndërronte. Me të vërtetë, unë nuk e kuptoja filosofinë e tij”, i tha Viliani ESPN-së braziliane.
Sfidanti.al