Efekti “Maradona” mori fund dhe, pas tri fitoreve për nder të legjendës, erdhën dy humbje radhazi, edhe pse krejtësisht të ndryshme. Doli me kokën lart Napoli nga stadiumi “San Siro” pas disfaës minimale 0-1 me Interin, por me kokën poshtë dhe me turp pas dështimit 0-2 në “Olimpiko” kundër Lacios. Të mendosh se kjo Lacio u kritikua ashpër dhe madje trajneri Inzagi rrezikoi shumë (ndoshta ende rrezikon) pas barazimit me Beneventon.
Edhe tani, kryeqytetasit nuk është se janë shumë mirë, në vendin e 8-të në Serinë A, por gjithsesi kur fiton ka shpresë dhe lumturi, sidomos kur e bën ndaj Napolit dhe në atë mënyrë që e bënë lacialët. Presidenti Lotito ndoshta nuk dëshiron ta pranojë, por ekipi i Inzagit, ndërtuar nga Igli Tare me aq fuqi financiare sa ka klubi, nuk mund të luajë në dy fronte sikur të ishte një Juve apo Inter. “Kjo është skuadra ime e vërtetë, – tha Inzagi në formë sfide, – kështu duhet të luajmë gjithnjë. Sa për rinovimin e kontratës, kurrë të mos themi kurrë, ndoshta pas vitit të ri”.
Çiro Imobile dhe Luis Alberto ishin autorët e golave për Lacion, që pati mungesa të shumta si Leiva, Parolo, Fares, Açerbi dhe Korrea. Tomas Strakosha ishte sërish në stol, ndërsa Vedat Muriqi hyri në fushë në 67’. Napoli është në vend të pestë me 23 pikë, ndërsa Lacio është e 8-ta me 21.
Sfidanti.al