Reali shfaqet si kampion kur shkëlqejnë Benzema e Modriç!

Varësia nga Kristiano Ronaldo besohet se është diçka e së shkuarës, ndonëse ky Madrid nuk shkëlqen aq shumë për golat e shënuar. Me vetëm 25 të tillë në 14 ndeshje, nuk mund të quhet një mesatare e denjë për “galaktikë”, siç bëhej dikur nga Reali e nga Barça në kohën e rivalitetit të madh mes tyre, por gjithsesi, një ekip i tillë imponon respekt. U arrit fitorja e pestë radhazi në sezon, një 3-1 në fushën e Eibarit që nuk është një rival aq i dobët.

Karim Benzema shënoi një gol dhe asistoi dy të tjerë duke qenë në një nga sezonet më të mirë të karrierës. Luka Modriç shkëlqeu në kohët e rinisë dhe ende nuk kuptohet përse presidenti Perez nuk hap bisedimet për rinovimin e kontratës me 33-vjeçarin. Lukas Vaskez shënoi të tretin, ndërsa Kike shkurtoi diferencën për vendasit në 28’. Eibari kërkoi një penallti, ndërsa Reali kërkoi një të kuq për kundërshtarin. “Njëzet minutat e para ishin spektakolare, – tha trajneri Zinedin Zidan, – një fushë e vështirë, por e përballuam vuajtjen ndaj fituam. Gjithsesi, beteja vazhdon sepse luajmë çdo tre ditë”.

Reali ka 29 pikë, po aq sa Atletiko, por që ka luajtur dy ndeshje më pak 12 ndaj 14. Sociedadi mbeti prapa me 26 pikë në 15 ndeshje, ndërsa Vijarreali është në vend të katërt me 25 pikë. Barcelona ka fat që është e pesta me 21.

Sfidanti.al