Me një Juventus të tillë u duk se askush nuk do të mund të kishte shanse. Dakord, skuadrat milaneze sërish pak arrijnë ta shqetësojnë “Zonjën e Vjetër”, por për fat, në Serinë A është edhe një tjetër ekip që nuk dëshiron të dorëzohet. Është pikërisht Napoli, që e tregoi gjithë krenarinë e tij duke fituar 2-1 në një fushë të vështirë si ajo e Atalantës.
Me Etrit Berishën në fushë dhe Elseid Hysajn në stol, derbi shqiptar u luajt për më pak se 20 minuta (mbrojtësi hyri në lojë në 77’), por stadiumi “Atletët e Kaltër të Italisë” pati mjaft emocione. Napoli në epërsi që në fillim (Ruiz në 2’), por Zapata barazoi në 56’. U desh të hynte në fushë Milik në vend të Mertensit dhe lëvizja e Ançelotit doli fituese, pasi sulmuesi polak realizoi në portën e Berishës.
Napoli ka 8 pikë më pak se Juvja, 32 ndaj 40, ndërsa u shkëput 3 pikë nga Interi. “Mirë që është Napoli”, shkruan “La Gazeta delo Sport”. Javën që vjen, Napoli pret Frozinonen, ndërsa Juventusi do të ketë vizitën e Interit në Torino. Pra, ka shpresë për napolitanët dhe për tifozët që duan një luftë për titull.
Sfidanti.al