Sarri sfidon Napolin e “katër magjikëve”: Duhen by… për titull!

“Fab Four” apo “Katërshja Magjikët” ishte shprehja angleze që përdorej për Bitëllsat. Sot janë katër yje të Napolit, Kajehon, Hamshik, Mertens dhe Insinje që zënë vendin e Xhon Lenonit, Pol Mekartnit, Ringo Starit e Xhorxh Harrisonit. Katërshja magjike e tregoi veten edhe në stadiumin e Kaljarit, duke shënuar katër gola sipas renditjes së mësipërme dhe duke bërë që napolitanët të jenë në +4 mbi Juventusit në renditjen e Serisë A. Natyrisht, kampionët kanë për të rikuperuar ndeshjen në shtëpi ndaj Atalantës.

Skuadra e trajnerit Sarri ka tani 10 fitore radhazi dhe duket se planet e teknikut janë të sakta. U sakrifikua gjithçka, Champions, Ligë e Europës dhe Kupë e Italisë vetëm e vetëm që të fitohet ky “titull i bekuar”. A do t’ia dalin “pasardhësit” e Maradonës, Karekës dhe Alemaos?

“Për të fituar titullin duhen edhe pak by…, – u shpreh Sarri, në mënyrën e tij tipike popullore, – na duhet që të fitojmë 12 ndeshje dhe të barazojmë të paktën njërën (atë në Torino me Juven). A mund t’ia dalim? Shpresojmë, por Juventusi është skuadër e madhe, jo më kot 7 vjet radhazi fiton nga 90 deri në 100 pikë”.

Kalendari është i vështirë për Napolin, që do të luajë në fushën e Interit dhe të Milanit, përveçse në stadiumin “Juventus”. Javën që vjen janë duelet Napoli-Roma e Lacio-Juventus, pastaj Juve-Udineze e Inter-Napoli. Supersfida në Torino është në program në 22 prill.

Sfidanti.al