Sarri për Ronaldon: Meritë ka nëna që ka lindur një djalë të tillë!

Ende nuk është aty ku duhet, por shenjat po i jep. Urdhëri i ditës për Juventusin është presingu, kjo është kërkesa e Mauricio Sarrit, dhe futbollistët po e ndjekin filozofinë e trajnerit të tyre. E provoi Roma madje për herë të dytë, kur u mund paq në stadiumin “Alianc” të Torinos, dhe u eleminua nga Kupa e Italisë.

Suksesi 3-1 erdhi pas njërës prej ndeshjeve më të mira të kampionëve me Sarrin në stol, dhe lajmi tjetër i madh për tifozët është që Kristiano Ronaldo tashmë ka hyrë në ritmin e tij fenomenal. Njeriu që jeton për të fituar, që njeh vetëm fushën e palestrën dhe sakrifikon jo pak për futbollin, po merr shpërblimin e merituar pas një viti e gjysmë në Itali.

Ai shënoi sërish, për të 8-ën ndeshje radhazi, ndërsa golat e tjerë erdhën nga Betankur dhe Leonardo Bonuçi. Jo vetëm kaq, por edhe rrjeta e Romës u shënua nga një lojtar vendas, pasi ishte autogol i legjendës së portës, Xhanluixhi Bufon. Kjo ishte humbja e 10-të radhazi e Romës në fushën e Juves.

“Shpresojmë që të bëhen 11 radhazi, – tha me shaka Sarri, – jam i lumtur për skuadrën, pasi fitorja është bërë normalitet. Gjithsesi, nuk dua të flas për statistikat, sepse do të jetë sezon i vështirë, duhet të jemi më mirë sesa më parë për të fituar. Sa për Ronaldon, ai është i shkëlqyer në çdo aspekt. Unë nuk kam asnjë meritë për këtë gjë, meritë ka mamaja e tij që ka lindur një djalë të tillë”.

Mediat italiane po ashtu veçuan dyshen Juve-Ronaldo.

“La Gazeta delo Sport”: CR gjithçkaja! Juve në gjysmëfinale të kupës pas 3-1 ndaj Romës, dhe Ronaldo nuk ndalet më! Mesazh i marsianit për kampionatin! “Il Korriere delo Sport”: Ja ku jemi përsëri! Kupa e Italisë, 3-1 ndaj Romës, Juvja në gjysmëfinale! Shenjë e keqe për ndjekësit!

Kjo ishte fitorja e pestë radhazi e kampionëve, por siç paralajmëroi  Sarri sezoni mbetet i vështirë. Në fundjavë, Juventusi luan në “San Paolo” ndaj Napolit.

Sfidanti.al