Të dy janë në hall, por këtë herë patën fat të kundërt. Ole Gunar Solskjer dhe Zhoze Murinjo janë dy trajnerë në vështirësi serioze në Premier Ligën angleze, veçse norvegjezi mund të cilësohet më shumë në telashe sesa portugezi. Mançester Junajtidi i tij pësoi një tjetër humbje, mund të quhet e turpshme, pasi u mposht 0-2 në “Old Traford” nga Bërnli modest. Rezultati nuk ndikoi edhe aq shumë në renditjen e skuadrës rekordmene të titujve në Angli, pasi ajo është ende vetëm 6 pikë larg zonës Champions, por tronditi edhe më shumë besimin se Junajtidi mund të bëhet sërish i madh.
Nuk po flitet më për epokën e Sër Aleks Fergusonit, por për të pasur një skuadër që të pretendojë të paktën kualifikimin në Ligën e Kampionëve dhe të jetë pranë kreut. Diçka e tillë nuk po ndodh, dhe siç pohojnë mediat britanike, Solskjer tani është trajneri favorit për t’u shkarkuar nga detyra. Vështirë të jetë ndryshe kur ke 8 humbje dhe vetëm 9 fitore në krye të Mançester Junajtidit.
Natyrisht, fajtor nuk cilësohet vetëm trajneri, pasi tifozët sulmuan edhe shefin ekzekutiv, Ed Uduord, duke e akuzuar për dështimin. Ish-ylli i Junantidit, Rio Ferdinand, shprehu dhimbjen se tifozët po largohen nga skuadra dhe se fëmijët e vegjël nuk do ta veshin më, me krenari, fanelën e “djajve të kuq”.
“E kuptoj shumë mirë që tifozët janë të zhgënjyer, – u shpreh Solskjeri, – pasi kohët janë të vështira. Ata u larguan në fund, dhe me të drejtë. Gjithsesi, ne nuk kemi rrugë tjetër, por të qendrojmë të bashkuar, të besojmë në vlerat tona, dhe të kalojmë momentin e keq”.
Po Murinjo si doli? Trajneri me 25 trofe këtë herë fitoi, edhe pse ishte një sukses i vogël. Në “Uajt Hart Lejn”, Totenhemi e pati shumë të vështirë të thyente Noruiçin, dhe këtë e bëri me shifrat 2-1.
Në mungesë të yjeve kryesorë të dëmtuar si Harri Kejn e Hugo Joris, golat u shënuan nga Dele Ali dhe koreanojugori Son. Noruiçi arriti barazimin e përkohshëm me anë të finlandezit Puki, që u tregua i saktë tek penalltia, por londinezët në fund ia dolën.
Shqetësim për Murinjon dhe tifozët ishte dëmtimi i Harri Uinks, që i shtohet të lënduarve Kejn, Joris, Sisoko dhe Dejvis. “Për fat, dëmtimi i Uinksit nuk është i rëndë, – tha trajneri, – besoj se do të mungojë disa javë, jo disa muaj. Natyrisht, është vështirë të luash pa disa nga lojtarët kryesorë, por ky është realiteti dhe ne duhet të përshtatemi. Është mirë që fituam, pasi fitoret dhe pikët na japin besim”.
Totenhemi ka 34 pikë në renditjen e Premier Ligës, po aq Junajtidi, ndërsa Çelsi i vendit të katërt, pra i zonës Champions, ka 6 pikë më shumë.
Sfidanti.al