Lebron Xhejms ndoshta s’bën më nëna, por ai do ta provojë. Zion Uilliamson, njeriu më i shumëpritur i NBA-së që pas “Mbretit të basketbollit”, e bëri më në fund debutimin e tij dhe ishte një sukses. Ndeshja nuk u arrit të fitohej, pasi një 19-vjeçar vështirë se mund të mposhtë një skuadër si San Antonio, por tifozët ndoqën një mrekulli.
Me 22 pikë të shënuara në vetëm 18 minuta, ai bëri prezantimin më të mirë të mundshëm në prani të 20 000 spektatorëve në Arenën e Nju Orlinsit, një shpresë e madhe pas largimit të Entoni Dejvisit tek Lejkërsat. Trajneri nuk deshi të rrezikonte me një lojtar që sapo u kthye nga dëmtimi në gju, pas një mungese gati 3-mujore, ndaj edhe minutazhi i Uilliamsonit ishte i kufizuar.
Gjithsesi, ai shkëlqeu fort, duke shtuar edhe 7 topa në tabela e 3 asistë, e duke qenë tepër i saktë në gjuajtje. Realizoi 8 nga 11 tentativat nga loja, ku veçohet sidomos që nuk gaboi asnjë nga katër tripikëshat. Uilliamson ishte numri 1 i zgjedhjeve në NBA verën që kaloi, dhe pritet të hapë epokën e tij, ashtu siç bënë dikur Bill Rasëlli, Karim Abdyl Xhabari, Majkëll Xhordani apo Lebroni.
San Antonio fitoi 121-117, drejtuar nga një trajner me shumë përvojë si Popoviç, dhe me lojtarë specialistë si DeRozan apo Olldrixh. Talenti i ri nuk shkëlqen me shtatlartësinë, pasi është i gjatë 1.98 metra, por ka cilësi fizike dhe atletike të shkëlqyera, si dhe talent të rrallë.
Sfidanti.al