Sarri flet për emocionet e derbit dhe për … Juventusin!

Historia e tij si trajner tashmë është e gjatë dhe ka kaluar nga Empoli, Napoli, Çelsi, Juventusi e tani Lacio, sa për të përmendur etapat që e kanë ngjitur në Serinë A dhe në Europë. Nuk ka fituar aq shumë trofe sesa respekt dhe admirim për futbollin që praktikon dhe karakterin që ka, ndërsa vetëm këtë të diel Mauricio Sarri arriti të kuptonte se çfarë do të thotë një derbi i kryeqytetit të Italisë. Lacio e tij mundi 3-2 Romën e Zhoze Murinjos në një ndeshje të shkëlqyer sulmuese, siç ishte të shtunën edhe Inter-Atalanta, apo siç u pa edhe në Juventus-Sampdoria.

“Në Itali skuadrat po luajnë më shumë në sulm, – pohon Sarri, – ndaj po shënohen golat. Ndoshta në fazën e dytë mund të ketë hapa prapa. Nuk e mendoja që një derbi i tillë do të kishte kaq shumë adrenalinë dhe emocione, si dhe kaq shumë gëzim pas fitores. Skuadra më pëlqeu edhe pse mund të jemi edhe më mirë. Mirë në mbrojtje, dolën disa herë shpejt në sulm, siç më pëlqen mua, por duhet të luajmë me më shumë lirshmëri, jo aq të bllokuar”. Sarri shkoi tek tifozët ultras pas fitores duke mbajtur në dorë shqiponjën laciale, simbolin e klubit. Më pas, ai foli edhe për etapën që pati tek Juventusi. “Nuk arrita të ndryshoj 3-4 lojtarë për arsye ekonomike dhe u desh të përshtatesha, – tha ai, – por, përfundimisht ia dolëm që ta fitonim titullin kampion”.

Sfidanti.al