Sarri e merr me të mirë, por CR7 mezi pret të lerë pas “nëntorin e zi”!

Nuk kishte ndodhur kurrë që në një muaj të mos shënonte asnjë gol me skuadrën e tij. Kristiano Ronaldo nuk e pati provuar këtë kur luante për Mançester Junajtidin apo Realin e Madridit, por ja u desh që ta përjetonte në Torino. Gjatë nëntorit, CR7-ta nuk mundi të realizonte dot për Juventusin, dhe për më tepër pati probleme fizike, si dhe u bë pjesë e polemikave. Edhe pse realizoi 4 herë për Portugalinë, kjo nuk mjaftoi për ta bërë të lumtur, ndërsa u mendua se do të kishte një “duel force” me trajnerin Mauricio Sarri.

Gjithsesi, ky i fundit e aktivizoi deri në fund në Champions, si dhe pritet ta aktivizojë 90 minuta edhe në ndeshjen ndaj Sasuolos. “Ronaldo nuk bën pjesë në normalitetin e rotacionit, – u shpreh Sarri, – ai është i veçantë, dhe jo të gjithë lojtarët në ekip janë të barabartë, edhe pse duhen trajtuar si të tillë”. Pabarazia, sipas Sarrit, është e ngritur në sistem, ndërsa Ronaldo shpreson që ndeshja e nesërme ndaj Sasuolos, të bëjë që të nisë një dhjetor ndryshe nga nëntori. Sasuolo ishte “viktima” e tij e parë në Itali, pra kujtimet janë të bukura.

Sfidanti.al