Nuk mund të shkonte më mirë për Romën në ndeshjen ndaj Peskarës, sesa ashtu si vajti. Kryeqytetasit fituan thellësisht 4-1 dhe u shkëputën në 4 pikë nga Napoli i vendit të tretë. Kur duhen edhe 5 javë deri në fund të kampionatit, diferenca duket shumë e mirë për të mbajtur pozicionin numër 2 dhe për të shkuar direkt për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Trajneri Spaleti me siguri është ndier i kënaqur, për më tepër sepse largësia nga Juventusi që kryeson është 8 pikë, e madhe por që mund të bëhet interesante.
Gjithsesi, në stadiumin e Peskarës (që tani ka zbritur edhe matematikisht në Serinë B), ndodhi diçka që nuk i pëlqeu trajnerit të verdhekuqve. Edin Xheko u zëvendësua në minutën e 70-të, por u nervozua shuëm dhe ofendoi trajnerin. Nuk ishte mbrëmja e sulmuesit boshnjak, pasi golat u shënuan nga Strotman, Naingolan dhe dy herë nga Salah. Në radhë pret derbi i kryeqytetit dhe Spaleti do të përpiqet të qetësojë “ujërat”.
Sfidanti.al